Autoritetet greke janë zotuar të bëjnë çmos për të ulur dhunën në sport kjo pasi një tifoz 19-vjeçar u vra së fundmi pas një sulmi të organizuar nga tifo-grupet rivale.

Qeveria ka lajmëruar nisjen e një reforme të thellë, e cila parashikon rregulla më të rrepta për organizimin e klubeve si dhe dënime më të rënda dhe kontrolle më të shpeshta policore.

Alkis Kampanos, 19 vjeç u rrah për vdekje jashtë stadiumit të klubit të Arisit të Selanikut më 1 shkurt.

Ai dhe dy djem të tjerë u sulmuan nga një grup në rrugë. Autoritetet dyshojnë se ngjarja ndodhi pas një zënke të nxitur nga motivet sportive. Grupi që u përball me Kampanosin ishin mbështetës të skuadrës rivale.

Ngjarja ka tronditur Selanikun ku qytetarë të ndryshëm shprehen të shqetësuar për qetësinë publike.

Në Greqi, përplasjet mes tifozerive janë të shpeshta. Po kështu edhe ndërprerja e ndeshjeve për shkak të përleshjeve apo pushtimit të fushës janë të shpeshta.

Kjo ka ndodhur vazhdimisht edhe pse klube dhe autoritetet vendore janë gjobitur rëndë për ngjarjet e ndodhura. Mirëpo tanimë situata ka marrë pikën e kthesës.

Zëdhënësi i qeverisë greke Giannis Oikonomou tha të martën se se qeveria do të paraqesë në parlament një projekt-ligj për reformimin e sektorit të sportit.

Projekt-ligji parashikon dënime të rënda për dhunën e çfarëdoshme që shoqërohet në mjediset sportive.