Përshkruhet si rasti më i madh i divorcit në historinë e Britanisë.

Kjo pasi çështja u zgjidh me më shumë se 500 mln paund dhe që përfshin sundimtarin miliarder të Dubait dhe bashkëshorten e tij të larguar.

Gjykata britanike vendosi sot t’i japë princeshës 47 vjeçe Haya Bint Al-Hussain shumën prej 251.5 milionë paund si detyrim të ish bashkëshortit ndaj saj. Ajo është vajza e ish mbretit të Jordanisë, Husein.

Ajo është gjithashtu më e reja nga 6 bashkëshortet e Sheikh Mohammed Bin Rashid Al-Maktoum – sundimtari multimiliarder i Dubait, kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pronar me ndikim i garave me kuaj.

Vendimi i siguron Princeshës Haya shuma të mëdha për të mbuluar koston e drejtimit të dy pronave shumë milionëshe-njëra pranë Pallatit Kensington të Londrës si dhe rezidenca kryesore në Egham, Surrey. Gjykata gjithashtu vendosi të sigurojë dy fëmijët e saj me nga 5.6 milionë paund në vit.

Ky rast ka kthyer në vëmendje jetën e familjeve mbretërore të Lindjes së Mesme. Princesha Haya iku nga Dubai drejt Britanisë me fëmijët e saj në vitin 2019, duke thënë se kishte frikë nga jeta e saj, pasi zbuloi se Sheikh Mohammed kishte rrëmbyer më parë dy nga vajzat e tij të tjera – Sheikha Latifa dhe Sheikha Shamsa duke i kthyer më pas në Dubai kundër dëshirës së tyre.

Sheikh Mohammed 72 vjeç ka mohuar rrëmbimet pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë të vitit 2020 që i konsideroi të vërteta. Ai botoi një poezi të quajtur “Ti jetove, ti vdiqe”, që u komentua si kërcënim ndaj princeshës. Kjo pasi zbuloi se princesha kishte një lidhje me ish truprojën e saj, pjesë e ushtrisë britanike.

Princesha Haya vijoi të merrte kërcënime pasi mbërriti në Britani, me mesazhe të tilla si: “Ne mund të të gjejmë kudo”. Ajo ka shpenzuar shuma të mëdha parash për sigurinë e fëmijëve, mes frikës se do të rrëmbehen dhe do të kthehen në Dubai.

Sheikh Mohammed ka thënë së fundmi se nuk ka pasur asnjë qëllim t’i bëjë dëm princeshës dhe se poezinë e ka hequr nga rrjetet sociale. Gjithashtu ka rënë dakord me shumat e vendosura nga Gjykata.