Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Njëmbëdhjetë prej tyre janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski.

Në postin e kryeministrit, Kovaçevski zëvendëson Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Pjesë e Qeverisë së re janë edhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Arbër Ademi, deputet nga BDI-ja, tha se Qeveria e re do të zbatojë në tërësi programin e saj, ndërsa u shpreh i bindur se në tre muajt e fundit të mandatit të saj. Qeverinë do ta drejtojë një kuadër shqiptar, pasi për këtë janë pajtuar si LSDM-ja ashtu edhe VMRO-DPMEN-ja.

“Të gjitha projektet e përmendura duhet të jenë shtysë dhe motiv për të vazhduar me punë të mirë. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe tani drejt sfidës së integrimit evropian le t’i përvishemi punës së bashku për ta integruar vendin aty ku e ka vendin, në familjen e madhe evropiane”, tha Ademi.

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare thanë se Qeveria e Dimitar Kovaçevskit nuk është gjë tjetër, pos vazhdimësi e qeverisë së korruptuar dhe të dështuar të Zoran Zaevit”.

Aleksandër Nikollovski, deputet i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike.

“Sot ne kemi një Qeveri pa legjitimitet të plotë, kemi Qeveri të fytyrave të vjetra. Kemi një Qeveri që është vazhdimësi e asaj të kaluarës, të korruptuar dhe të dështuar.

Zgjidhja e vetme për të konsoliduar dhe zhvilluar vendin tonë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë që të jetë e mundur”, u shpreh Nikollovski.

Qeveria e re ka mandat deri në vitin 2024, pasi paraqet vazhdimësi të Qeverisë së ish-kryeministrit, Zoran Zaev, që ishte zgjedhur në vitin 2020.