Filmi “Zgjoi” i regjisores nga Kosova, Blerta Basholli, nuk arriti të nominohet për Çmimin Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.”Zgjoi” ishte në listën prej 15 filmash, ndërsa u nominuan pesë finalistë. Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA i shpalli nominimet të martën, ndërsa çmimet do të ndahen më 27 mars.

Vitin e kaluar, “Zgjoi” ka bërë histori, duke fituar tre çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çmimi për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimi i publikut – që të tre kanë shkuar në adresë të “Zgjoit”.

Sundance Film Festival e ka cilësuar filmin një perlë që nxjerr në pah fuqinë e personazheve të tij, duke dëshmuar se asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision.