Ashtu siç ishte njoftuar më herët nga Federata Norvegjeze e futbollit, por edhe nëpërmjet një komunikate zyrtare, UEFA ka vendosur shtyrjen e kampionatit Europian të Futbollit me një vit, duke përcaktuar 11 qershorin e 2021-shit si datën e re të startit.

Gjatë video-konferencës me të 55 vendet anëtare të organizatës drejtuese të futbollit në kontinentin e vjetër, është vendosur që t’u hapet rrugë kampionateve të shteteve dhe ligave europiane për klube, që të mbyllin rregullisht sezonin.

Thënë ndryshe, me shpresën që brenda muajit prill mund të rikthehet normaliteti, UEFA shpreson që kampionatet e klubeve të përfundojnë Brenda muajit qershor dhe të japin verdiktet e tyre, ndërsa paralelisht do të luhen edhe ndeshjet e mbetura të Champions dhe Europa League, me finalet e parashikuara për në fund të muajit qershor.

Gjithashtu po në muajin qershor do të luhen edhe ndeshjet zyrtare të parashikuara për në muajin mars, si sfidat e Play Off-it të Ligës së Kombeve, që do të përcaktojnë edhe 4 skuadrat e tjera që do të shkojnë në Kampionatin Europian 2021.

Qeveria Europiane e Futbollit gjithashtu ka vendosur të ngrejë një grup pune për të përshtatur kalendarin dhe për të spostuar ndeshjet eliminatore të Champions dhe Europa League, që zakonisht startonin në mesin e muajt qershor.

E gjithë kjo situatë është krijuar pas përhapjes me shpejtësi të koronavirusit, që fillimisht “pushtoi” Italinë dhe tani po shtrin ndikimin e tij në të gjithë Europën, duke bërë që banorët në shumë shtete të izolohen në banesat e tyre./supersport.al