Rikthehet Paolo Maldini. Ish-mbrojtësi legjendar kuqezi dhe i përfaqësueses së Italisë emërohet drejtor i zhvillimit strategjik të zonës sportive në klubin e Milanit. 50-vjeçari është kërkuar me ngulm nga Leonardo dhe drejtuesit e ri të shoqërisë.

Paolo konsiderohet një legjendë e gjallë e historisë së Milanit për klasin e tij të jashtëzakonshëm, talentin, lidershipin, besnikërinë dhe rekordin e sukseseve që ka arritur te Milani, çka e bëjnë të pakrahasueshëm me të tjerët.

Të tilla cilësi do të luajnë një rol përcaktues për t’i rikthyer Milanit madhështinë që meriton. Pikërisht me këto fjalë Milani zyrtarizoi rikthimin e Paolo Maldinit në botën kuqezi. Prezantimi i tij është programuar këtë të hënë, në orën 16:30.

Maldini ka debutuar në Serinë A kur ishte vetëm 16-vjeçar, ndërsa në karrierën si mbrojtës ka fituar 26 trofe: mes të cilëve 7 tituj kampionë, 5 Champions, 2 Kupa Interkontinentale dhe 1 botëror për klube dhe u tërhoq në sezonin 2008-2009 pas 25 viteve me fanellën kuqezi.

Paolo Scaroni, presidenti i kuqezinjve u shpreh “i lumtur dhe i nderuar që do të punojë me një legjendë si Maldini”, duke thënë se “ky emërim tregon ëndrrën dhe angazhimin e Fondit Eliot drejt objektivit ambicioz të rikthimit të Milanit të madh”. Konferenca për shtyp për prezantimin e Paolo Maldinit do të organizohet pasditen e kësaj të hëne, më 6 gusht, në selinë e Milanit.